Gruaja i mbetet pa dokumente, qytetari nuk di nga t`ia mbajë




Muhamet Bajrami nga fshati Svircë i Komunës së Medvegjës që prej vitit 1995 banon në Matiqan me familje.

Mirëpo gruaja e tij, Fatime Bajrami ka dy vite që ka aplikuar në Ministri të Punëve të Brendshme për leje qëndrim të përhershëm, por ende nuk ka marrë një përgjigje.

“Tash kam apliku para dy vite në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me 21 të këtij muaji që jemi bëhen dy vite edhe s`ka kurrfarë përgjigje”, tha Bajrami.

Bajrami thotë se i ka dërguar të gjitha dokumentet që i janë kërkuar, por nga Ministria thonë se Fatime Bajrami nuk ka mundur t’i sigurojë të gjitha dokumentet e nevojshme.

“Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, Divizioni për të Huaj ka konstatuar se dosja nuk është e kompletuar dhe në momentin e aplikimit shtetasi i huaj nuk ka prezantuar dokumentacionin adekuat për t`u pajisur me dokument/lejen e qëndrimit të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë dhënë për KALLXO.com.

“Veç m`kanë thanë, s`ka niher kurgjo, prit-prit që dy vite. Kur kam apliku brenda 10 dite më kanë ardh policia te shpia me verifiku edhe kur e panë që unë jam shtetas i Kosovës më thanë ‘qysh është e mundur ti shtetas i Kosovës e gruaja jo”, u shpreh Bajrami.

Ai tha se gruaja e tij ka probleme shëndetësore, mirëpo në mungesë të dokumenteve ai nuk mundet të dërgojë gruan në spitale publike por vetëm në ato private.

“Vetëm analiza sa i kom bo krejt private se në të shtetit nuk mujsha se më lypshin dokument të identifikimit, kjo dokument të Kosovës nuk ka”, tha bashkëshorti i Fatime Bajrami.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se kërkesa e znj.Bajrami nuk është refuzuar por vetëm është pezulluar afati i vendimmarrjes.

“Gjatë shqyrtimit të kërkesës dhe ndërkohë në vazhdimësi pala është njoftuar lidhur me plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për pajisje me leje qëndrim në rrethana të jashtëzakonshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.Tutje Bajrami tha se nuk është njoftuar për mungesë të dokumentacionit dhe pretendon se i ka dorëzuar të gjitha ato që i janë kërkuar.

“Numrin e telefonit ma kanë marrë dhe kurrë as nuk më kanë thirrë në telefon me thanë këto dokumente duhen apo diçka”, tha më tutje ai.“Tash ja po më duhet me përzënë gruan, se ajo po thirret si refugjate se kishe pe mbajë në të zezën, ose të lëshojnë dokumentet”, tha për fund Bajrami.

Be the first to comment on "Gruaja i mbetet pa dokumente, qytetari nuk di nga t`ia mbajë"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*