I shpëtoi jetën të moshuarit që pësoi parainfarkt, Leli: Ishte një reagim normal si mjek

Një ditë më parë, një video e kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli që ndihmonte një të moshuar në bregdet është bërë virale në rrjet. I moshuari pësoi parainfarkt dhe pas ndihmës që mori nga Leli dhe qytetarëve që rastisën përreth, është dërguar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.

Në një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, Leli tha se ishte një reagim normal që do të bënte çdo mjek dhe nuk do që ta trajtojë si një veprim heroi. “Nuk dua ta trajtoj me dimensionet e heroit. Thjesht ishte një reagim normal i çdo mjeku.

Kishim shkuar aty për të promovuar një pajisje të re që specialistët gjerman do t’u tregonin punëtorëve të ndërmarrjes së shërbimeve publike në Bashki dhe ishte rastësi që pamë më tutje një zotëri që pësoi një situatë jo të këndshme. U përpoqëm që t’i jepnim ndihmën e parë. Për fat, ambulanca erdhi shumë shpejt.

Zotëria u transferua në spitalin rajonal. Ishte një reagim normal por dua të them një këshillë për moshat e treta që të kujdesen shumë. Janë ngritur temperaturat, shumë guximtarë futen në det dhe si mjek këshilloi që të kujdesemi dhe të mos kemi incidente të tilla.

Çdo mjeku i ndodhin situata të tilla dhe nuk mendohen dy herë për të dhënë ndihmën në momente të vështira”, tha Leli.

Be the first to comment on "I shpëtoi jetën të moshuarit që pësoi parainfarkt, Leli: Ishte një reagim normal si mjek"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*