Teleskopi “James Webb” merr pamje të mahnitshme të Jupiterit

Teleskopi më i ri dhe më i madh në botë, “James Webb”, ka marrë pamje të planetit Jupiter si kurrë më parë.

Shkencëtarët i publikuan pamjet e planetit më të madh të sistemit diellor të hënën, shkruan “The Guardian”, përcjell gazeta Nacionale.

Fotografitë u realizuan nga teleskopo “James Webb” në korrik, duke siguruar pamje të pashembullta të dritave veriore e jugore si dhe të mjegullës polare.

Pika e Madhe e Kuqe e Jupiterit, stuhi mjaftueshëm e madhe për ta përpirë Tokën, shihet qartazi bashkë me shumë stuhi të tjera.

Një fotografi me fushë të gjerë është veçanërisht mbresëlënëse, ku shihen unazat e vakëta përreth planetit dhe hënat e vogla, në prapavijën e të cilave shihen galaktikat.

“Kurrë nuk e kemi parë Jupiterin kështu. E tëra është goxha e pabesueshme”, tha astronomja planetare në Universitetin e Kalifornisë, Imke de Pater.

Ajo ka ofruar ndihmë për ta kryer vëzhgimin. “Vërtet nuk kemi pritur që kjo të jetë kaq e mirë, për të qenë e sinqertë”, shtoi shkencëtarja.

Sipas ekipit hulumtues, të përbërë nga shkencëtarë amerikanë e francezë, fotografitë me rreze infra të kuqe janë ngjyrosur në mënyrë artificiale me të kaltër, të bardhë, të gjelbër, të verdhë dhe të portokalltë për t’i bërë më të dallueshme tiparet e planetit.

Teleskopi i NASA-s e i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, që kushtoi dhjetë miliardë dollarë, u dërgua në hapësirë në fundin e vitit të kaluar dhe me të janë kryer vëzhgime gjatë kësaj vere.

Shkencëtarët shpresojnë që përmes tij ta zbulojnë fillin e gjithësisë, duke arritur deri te gjurmët e formimit të yjeve e galaktikave të para para 13.7 miliardë viteve.

Teleskopi ndodhet 1.6 milion kilometra nga Toka. Kjo pajisje mund ta vërejë dritën që ka filluar të udhëtojë drejt Tokës para 13 miliardë viteve. “James Webb” vlerësohet si pasardhës i teleskopit “Hubble” dhe pritet që të jetë vegël mbizotëruese për zbulime në hapësirë gjatë të paktën 20 viteve të ardhshme./Nacionale

Be the first to comment on "Teleskopi “James Webb” merr pamje të mahnitshme të Jupiterit"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*